Tingujt e kabasë myzeqare dhe të sazeve tradicionale kanë jehuar në Krutje të Lushnjës, ku u zhvillua edicioni i gjashtë i Takimit të Sazeve “Kabaja Myzeqare”. Aktiviteti, i kthyer tashmë në një traditë kulturore, bëri bashkë grupe folklorike nga Lushnja, Fieri, Divjaka, Berati dhe Dimali.
I organizuar nga Bashkia Lushnjë, nën kujdesin e kryetares Eriselda Sefa, drejtuesit të Njësisë Administrative Krutje, Ledian Goga, si dhe Qendrës së Artit “Vaçe Zela”, aktiviteti mblodhi qindra qytetarë në sheshin e shkollës së Krutjes.
Mbrëmja nisi me paradën e grupeve pjesëmarrëse, të cilat u pritën me duartrokitje nga publiku. Nën moderimin e prezantueses, skena u çel nga grupi folklorik “Vaçe Zela” i Fier-Sheganit, i cili solli performancën “Dyshja Myzeqare”, duke i dhënë tonin një mbrëmjeje kushtuar traditës dhe folklorit.
Sinkron – Eriselda Sefa, kryetare e Bashkisë Lushnjë
Gjatë aktivitetit, grupet interpretuan kaba myzeqare, valle tradicionale dhe pjesë të trashëgimisë muzikore të krahinës, të shoqëruara me kostumet karakteristike dhe instrumentet popullore që përbëjnë identitetin kulturor të Myzeqesë.
E pranishme ishte edhe kryetarja e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, e shoqëruar nga nënkryetarja Maldrita Bardho, e cila vlerësoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të kësaj pasurie shpirtërore, duke theksuar se kabaja myzeqare mbetet një nga simbolet më autentike të folklorit shqiptar.
Aktiviteti u zhvillua nën vlerësimin e një jurie të ngritur posaçërisht për këtë edicion, ndërsa performancat u ndoqën me interes deri në orët e vona të mbrëmjes. Në përfundim, grupet artistike dhe interpretuesit u vlerësuan me certifikata pjesëmarrjeje, si shenjë mirënjohjeje për kontributin në ruajtjen dhe përcjelljen e traditës.
Edicioni i gjashtë i “Kabaja Myzeqare” konfirmoi edhe një herë se kjo ngjarje kulturore është kthyer në një festë të folklorit, duke bashkuar artistë dhe artdashës për të mbajtur gjallë tingujt e sazeve dhe kabanë, një trashëgimi që buron nga zemra e Myzeqesë.