Fieri mirëpret një verë të mbushur me art, kulturë dhe aktivitete për çdo moshë.

Drejtoria e Artit, Kulturës & Turizmit, Bashkia Fier, ka prezantuar Kalendarin Artistik Veror 2026, një program të pasur aktivitetesh që do të shoqërojë qytetarët dhe vizitorët gjatë muajve korrik dhe gusht.
Kalendari nis me ciklin “Verë Shënd e Verë”, ku gjatë muajit korrik do të zhvillohen mbrëmje artistike në hapësirat publike të qytetit, me aktivitete për fëmijë, kërcim, muzikë, teatër kukullash, si edhe spektaklin e humorit “Verë dhe Portokalle”.

Muaji gusht do të jetë kulmi i sezonit artistik veror, me numrin më të madh të aktiviteteve dhe eventet më të rëndësishme të vitit. Kjo periudhë përkon edhe me rikthimin në vendlindje të diasporës fierake, ndaj programi është ndërtuar për t’i dhënë qytetit një atmosferë festive dhe për t’u ofruar fierakëve që jetojnë jashtë vendit, por edhe vizitorëve të shumtë, mundësinë të përjetojnë një verë të pasur me kulturë, traditë dhe argëtim.

Gjatë muajit gusht do të zhvillohen “Maratona e Këngës”, “Festa e Pishës Kurorë”, “Nata e Bardhë”, si edhe “Festa e Miqësisë”, një javë aktivitetesh që synon të bashkojë komunitetin dhe të mirëpresë bashkëqytetarët tanë që kthehen në Fier për pushimet verore.
Përmes këtij kalendari, Bashkia Fier vijon të investojë në jetën artistike dhe kulturore të qytetit, duke e shndërruar verën në një periudhë të gjallë aktivitetesh, takimesh dhe emocionesh, ku arti bëhet pikëtakimi i qytetarëve, vizitorëve dhe diasporës.

Kalendari Artistik Veror 2026 fton të gjithë të bëhen pjesë e një vere plot muzikë, teatër, humor, traditë dhe krijimtari, në një qytet që jeton dhe feston përmes kulturës.

Gjatë gjithë sezonit veror, Fieri synon të jetë një nga qendrat më aktive të jetës artistike në vend, duke e kthyer kulturën në një urë lidhëse mes qytetarëve, vizitorëve dhe diasporës fierake.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033