Bregdeti i Golemit dhe Qerretit mirëpret pushuesit, por në shumë sektorë të plazhit mungojnë vrojtuesit.

Jemi në javët e para të muajit korrik dhe temperaturat e larta kanë shtuar ndjeshëm numrin e pushuesve në bregdetin shqiptar. Golemi dhe Qerreti vijojnë të jenë ndër destinacionet më të frekuentuara, kryesisht nga pushues të ardhur nga Kosova, Tirana dhe qytete të tjera të vendit.

Megjithatë, një nga shqetësimet e konstatuara përgjatë vijës bregdetare është mungesa e vrojtuesve në disa sektorë të plazhit. Në shumë prej tyre ishin vendosur sinjalizues detarë që përcaktojnë kufirin e lejuar për pushuesit, me qëllim rritjen e sigurisë në det.

Pavarësisht kësaj, nuk munguan rastet kur pushues të ndryshëm kalonin përtej zonës së sinjalizuar, duke rritur rrezikun për incidente.

Ndërkohë, në kulmin e sezonit turistik, administratorë të bizneseve në zonë, në një komunikim jashtë kamere, shprehen se këtë vit fluksi i turistëve është më i ulët krahasuar me sezonet e mëparshme. Sipas tyre, një pjesë e shezlongëve vijojnë të mbeten bosh në pritje të pushuesve.

Sa i përket çmimeve, një set me dy shezlongë dhe një çadër ofrohet me rreth 700 lekë, një tarifë që sipas operatorëve mbetet e përballueshme për pushuesit.

Pamjet e siguruara nga kamera e TV Apollon tregojnë një vijë bregdetare të pastër dhe me potencial të lartë turistik, e cila çdo ditë pret vizitorë vendas dhe të huaj.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033