Tregtia buzë asfaltit, rrezik në aksin Lushnjë–Rrogozhinë.

Tregtia buzë asfaltit, rrezik në aksin Lushnjë–Rrogozhinë. Misrat e pjekur dhe perimet pranë rrugës shtojnë shqetësimin për sigurinë rrugore.

Aksi nacional Lushnjë–Rrogozhinë dhe anasjelltas vijon të mbetet një nga segmentet më problematike për sigurinë rrugore. Përveç numrit të aksidenteve që janë regjistruar ndër vite, një tjetër shqetësim mbetet tregtia e zhvilluar fare pranë asfaltit.

Pranë rrethrrotullimit të Rrogozhinës, rreth dhjetë tregtarë shesin misra të pjekur vetëm pak metra nga korsia e automjeteve. Nga mëngjesi deri në mbrëmje, ata qëndrojnë pranë rrugës ku automjetet lëvizin me shpejtësi, duke rrezikuar jo vetëm jetën e tyre, por edhe të drejtuesve të mjeteve.

E njëjta situatë shtrihet përgjatë gjithë aksit. Rreth 35 tregtarë tregtojnë çdo ditë shalqi, perime dhe prodhime të tjera bujqësore buzë rrugës. Shumë drejtues automjetesh frenojnë papritur ose ndalojnë për të blerë, duke krijuar situata të rrezikshme dhe duke shtuar mundësinë e aksidenteve.

Edhe vetë tregtarët pranojnë se janë të ndërgjegjshëm për rrezikun, por thonë se kjo është mënyra e vetme për të siguruar të ardhura gjatë sezonit.

Sipas banorëve dhe drejtuesve të mjeteve, institucionet përgjegjëse kanë ndërhyrë herë pas here për largimin e tregtarëve nga ky aks. Megjithatë, fenomeni vazhdon të përsëritet çdo ditë, duke e kthyer këtë segment rrugor në një pikë problematike për qarkullimin dhe sigurinë.

Mes nevojës për të siguruar jetesën dhe zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor, kjo panoramë mbetet një sfidë e pazgjidhur. Drejtuesit e mjeteve kërkojnë më shumë kontrolle dhe masa konkrete, përpara se kjo situatë të sjellë aksidente të tjera.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033