Në qytetin e Lushnjës prej disa ditësh kanë nisur punimet për rikonstruksionin e trotuareve, një investim i Bashkisë Lushnjë në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës urbane dhe kushteve për lëvizjen e qytetarëve.
Punimet po realizohen nga Drejtoria e Shërbimeve të Pasurisë Publike dhe punonjësit e sektorit të shtrimit të trotuareve, duke konkretizuar një nga angazhimet e kryetares së Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa.
Një pjesë e ndërhyrjeve tashmë kanë përfunduar në lagjen “Çlirimi”, ku është realizuar shtrimi i rreth 200 metrave katrorë trotuar në rrugën “Qemal Stafa”, pranë Gjykatës. Gjithashtu, janë përfunduar rreth 350 metra katrorë trotuar në zonën e rrethrrotullimit pranë ish-Plastmasit, në krahun perëndimor të tij.
Sipas përgjegjësit të rrugëve dhe trotuareve pranë Drejtorisë së Shërbimeve të Pasurisë Publike, Avni Dervishi, puna po vijon çdo ditë dhe projektet janë në zbatim edhe në zona të tjera të qytetit.
Në një komunikim jashtë kamere zoti Dervishi, u shpreh se ndërhyrjet do të vazhdojnë në segmentet ku janë evidentuar problematika, me synim rikthimin në normalitet të trotuareve që shërbejnë për qytetarët dhe këmbësorët.
Lushnja po përjeton investime të vazhdueshme në fusha të ndryshme të infrastrukturës, ndërsa Bashkia po ndërhyn aty ku ka nevoja dhe kërkesa nga komuniteti, duke financuar projektet nga buxheti vendor.