“Kur korrja ishte festë, sot heshtje në fushat e Myzeqesë”

Këto pamje i përkasin fushës së Myzeqesë, dikur e njohur si hambari i Shqipërisë për prodhimin e grurit dhe misrit. Në vitet e mëparshme, kjo fushë gumëzhinte nga aktiviteti bujqësor. Me ardhjen e muajit qershor, korrja niste me dhjetëra mjete bujqësore që siguronin rendimente të larta dhe prodhim të mbarë.

Tokat ishin të sistemuara dhe të parcelizuara me kujdes. Kanalet kulluese dhe vaditëse funksiononin rregullisht, ndërsa barërat e egra pothuajse nuk njiheshin. Fusha e Tërbufit dhe e gjithë Myzeqeja ofronin një pamje të bukur e të rregullt, simbol i punës dhe përkushtimit të fermerëve të asaj kohe.

Sot, panorama ka ndryshuar ndjeshëm. Shumë sipërfaqe bujqësore janë mbuluar nga bimësia e egër dhe kallamishtet. Kanalet nuk krijojnë më kuadratet karakteristike të dikurshme, por janë pushtuar nga ferrat dhe barishtet. Aktiviteti bujqësor është tkurrur dhe puna e dikurshme në arë duket se i përket një kohe tjetër.

Këto pamje mbeten dëshmi e një epoke kur Myzeqeja ishte zemra e prodhimit bujqësor shqiptar, ndërsa sot shërbejnë si arkiv i gjallë dhe nostalgji për vitet kur fusha ishte plot jetë, punë dhe begati.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033