I lindur dhe i rritur në qytetin e Lushnjës, Dario Zela është sot një nga zërat më të dashur dhe premtues mes artistëve të rinj, duke i dhënë emër dhe krenari vendlindjes së tij përmes muzikës dhe talentit që e karakterizon.
Që në moshë të vogël, Dario ishte pjesë e Qendrës Kulturore të Fëmijëve në Lushnjë, aty ku hodhi hapat e parë drejt skenës dhe muzikës. Talenti i tij u evidentua herët, ndërsa më pas mori pjesë në disa spektakle televizive, ku interpretoi këngë të njohura dhe solli emocion me zërin e tij të veçantë.
Sot, Dario Zela është kthyer në një artist të afirmuar, duke performuar në skena të ndryshme dhe duke sjellë atmosferë për të rinjtë që e ndjekin dhe e duartrokasin në çdo dalje artistike.
Mbiemri Zela duket se mbart brenda vetes traditën e zërave të bukur, ndërsa Dario vazhdon të dëshmojë se talenti dhe pasioni lindin natyrshëm aty ku muzika jeton në shpirt. Edhe pse tashmë pjesë e skenave artistike, ai nuk e harron kurrë qytetin e tij të lindjes, Lushnjën, aty ku kaloi fëmijërinë mes tingujve, notave muzikore dhe ëndrrave për skenën.
Së fundmi, Dario ishte i ftuar special në spektaklin “Miss Lushnja 2026”, ku performoi mjeshtërisht përpara publikut, duke sjellë emocion, energji dhe krenarinë e djalit lushnjar në skenë.
Në një intervistë të dhënë enkas për TV Apollon, artisti u shpreh mirënjohës për mbështetjen e publikut dhe emocionet që i dhuron çdo rikthim në qytetin e tij të zemrës.