Një protestë u zhvillua sot në zonën e plazhit të Dalanit në Zvernec, ku ambientalistë dhe qytetarë u mblodhën për të kundërshtuar ndërtimet që sipas tyre rrezikojnë ekosistemin dhe natyrën e zonës.
Me pankarta dhe thirrje në mbrojtje të mjedisit, protestuesit ngritën zërin për të shprehur shqetësimin lidhur me ndërhyrjet që mund të ndikojnë në një prej zonave më të njohura natyrore të Vlorës. “Shpëto Vlorën” ishte thirrja kryesore e ambientalistëve, të cilët kërkuan ruajtjen e hapësirave natyrore dhe ndalimin e projekteve që, sipas tyre, dëmtojnë mjedisin.
Pjesëmarrësit u shprehën se mbrojtja e bregdetit dhe e pasurive natyrore është një çështje që prek jo vetëm banorët e zonës, por edhe brezat e ardhshëm. Ata theksuan se zhvillimi duhet të ecë paralelisht me ruajtjen e natyrës dhe jo në dëm të saj.
Në terren për të ndjekur nga afër zhvillimet dhe për të pasqyruar protestën ishte edhe ekipi i TV Apollon, i cili realizoi xhirime nga aktiviteti dhe reagimet e pjesëmarrësve.
Mbetet për t’u parë nëse kërkesat e protestuesve do të sjellin reagime nga institucionet përgjegjëse lidhur me projektet e planifikuara në këtë zonë.