Qershia e Drenovës me pakicë për shkak të klimës së paqëndrueshme

Sezoni i qershive në Mallakastër ka nisur më herët këtë vit, por me një rendiment më të ulët krahasuar me vitet e kaluara. Sipas banorëve të Drenovës, fshatit të njohur për kultivimin masiv të qershive, shkak kryesor është moti i paqëndrueshëm, i cili ka ndikuar ndjeshëm në prodhim.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Bujqësisë në Fier, gjatë tre viteve të fundit rendimenti i qershive është tkurrur mesatarisht me 20% çdo vit, duke sjellë ulje të të ardhurave për kultivuesit dhe njëkohësisht rritje të çmimit të produktit në treg.

Në qarkun e Fierit kultivohen 64,114 rrënjë qershie, ku përqendrimi më i madh ndodhet në zonën e Mallakastrës. Nga ky total, 61,300 rrënjë janë aktualisht në prodhim, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga pemë të reja.

Vitin e kaluar prodhimi arriti në 1,440 tonë, ndërsa këtë vit pritet të jetë më i ulët. Sezoni i vjeljes së qershive të Drenovës nis nga fundi i prillit dhe përfundon në fillim të muajit qershor. Duke qenë ndër furnizuesit e parë të tregut gjatë kësaj periudhe, banorët e zonës sigurojnë të ardhura të konsiderueshme nga shitja e qershive.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033