Hapen më 20 maj aplikimet për skemën kombëtare të bujqësisë, 5.2 miliardë lekë financim për fermerët!

Më 20 maj do të hapen zyrtarisht aplikimet për skemën kombëtare të mbështetjes në bujqësi dhe blegtori. Aplikimet do të kryhen online, ndërsa fermerët do të kenë mundësi të marrin asistencë pranë zyrave të Agropikave në të gjithë vendin, ku mund të kryejnë fizikisht procedurat për përfitimin e financimeve.

Skema e këtij viti vjen me një fond prej 5.2 miliardë lekësh dhe synon mbështetje më të gjerë edhe për fermat e vogla. Ndryshimet e reja kanë përgjysmuar numrin minimal të bagëtive që nevojiten për të përfituar subvencionet.

Sipas skemës, blegtorët do të përfitojnë 12 mijë lekë për çdo krerë lope, për tufat me jo më pak se 5 krerë. Për bagëtitë e imta, financimi do të jetë 1 mijë e 500 lekë për krerë, për tufat me minimumi 50 krerë.

Për herë të parë, mbështetje financiare do të ketë edhe për dosat, ku fermerët do të përfitojnë 7 mijë lekë për çdo krerë, për tufat me jo më pak se 5 dosë.

Ndërkohë, sektori i bletarisë do të mbështetet me financim të dyfishuar, deri në 20 mijë lekë për çdo zgjua.

Fokus i veçantë në skemën e re do t’i kushtohet edhe mbrojtjes biologjike në bujqësi, duke nxitur përdorimin e insekteve për luftimin e dëmtuesve të bimëve në vend të pesticideve kimike.

Risi e këtij viti është edhe mbështetja për të rinjtë që investojnë në ferma bujqësore dhe blegtorale. Ata do të mund të përfitojnë financim deri në 70% të vlerës së investimit, por jo më shumë se 1 milion lekë.

Ndërkohë, skema e re ka hequr financimin për naftën pa taksa. Ministria e Bujqësisë argumenton se kjo skemë nuk ka funksionuar siç duhet dhe ka pasur raste abuzimi.

Nga ana tjetër, fermerëve u kërkohet të pajisen me faturë nga grumbulluesit apo agroturizmat ku tregtojnë produktet, në mënyrë që të përfitojnë nga kompensimi prej 10%, i cili pritet të nisë zbatimin më 1 korrik.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033