Katër persona janë arrestuar pas një hetimi disa mujor të Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”. Sipas autoriteteve, hetimet nisën pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë dhe, pas disa muajsh vëzhgimesh të fshehta dhe përdorimit të teknikave speciale hetimore, u dokumentua një skemë e organizuar kontrabande nga Greqia drejt Shqipëria.
Nga hetimet rezultoi se shtetasit me iniciale V.N. dhe A.N., në bashkëpunim me persona të tjerë, kishin organizuar futjen e konfeksioneve në mënyrë të paligjshme në territorin shqiptar. Ata përdornin automjete të modifikuara, të cilave u ishin hequr sediljet e pasme për të rritur kapacitetin transportues dhe për të shmangur dyshimet. Sipas skemës së zbuluar, mallrat siguroheshin në Greqi dhe liheshin pranë vijës kufitare, ndërsa më pas futeshin ilegalisht në territorin shqiptar përmes kufirit të gjelbër nga bashkëpunëtorë të tjerë. Më pas, mallrat transportoheshin drejt qytetit të Korçë, ku magazinoheshin dhe tregtoheshin përmes një subjekti tregtar të administruar nga të dyshuarit
Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit V.N., A.N., A.L. dhe S.N., të cilët u kapën duke shkarkuar mallra të dyshuara kontrabandë në një magazinë në Korçë. Autoritetet sekuestruan 15 thasë me konfeksione, me një total prej 1632 copë veshjesh, si dhe 73 thasë të tjerë me mallra rifuxho me peshë totale 1357 kilogramë. Po ashtu u sekuestruan automjete të përdorura për transportin e mallrave, aparate celularë dhe dokumente të ndryshme që lidhen me aktivitetin e dyshuar kriminal. Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të skemës së kontrabandës.