Bordi i Transparencës ka publikuar këtë të martë vendimin e ri për çmimet tavan të karburanteve në vend.
Sipas njoftimit zyrtar, në mbledhjen e datës 13 maj 2026 u vendos që çmimi i shitjes me pakicë për gazoilin të jetë jo më shumë se 201 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 189 lekë për litër.
Ndërkohë, benzina do të tregtohet me një çmim maksimal prej 187 lekësh për litër në shitjen me pakicë dhe 175 lekë për litër në shitjen me shumicë.
Bordi bëri të ditur se çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, më 13 maj, duke nisur nga ora 18:00 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme, ku pritet të reflektohen ndryshimet e reja të tregut.
Autoritetet paralajmëruan operatorët e tregtimit të karburanteve për zbatimin e detyrueshëm të vendimit, duke theksuar se në rast shkeljesh do të ketë masa deri në pezullim aktiviteti.
Në njoftim sqarohet gjithashtu se, bazuar në Aktin Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, ulja e akcizës në nivelin 80% zbatohet vetëm në rastet kur çmimi i naftës kalon 220 lekë/litër ose benzina 200 lekë/litër.