Në njësinë administrative Hyzgjokaj u organizua panairi tradicional “Sofra e Darsisë 2024”, i cili mblodhi fermerë dhe artizanë nga e gjithë zona e njohur e Darsisë.
Aktiviteti u mbajt në ambientet e jashtme të shkollës “Zyber Sharka” dhe u kthye në një platformë për promovimin e prodhimeve bujqësore dhe traditave të pasura të kësaj zone.
Darsia, e njohur për prodhimin e perimeve në sera, agrumeve dhe vajit të ullirit, e demonstroi potencialin e saj në stendat e panairit. Fermerët ekspozuan me krenari produkte si vaj ulliri, agrume dhe një shumëllojshmëri perimesh, duke sjellë një pasqyrë të punës dhe përkushtimit të tyre.
Aktiviteti u organizua nga njësia administrative e Hyzgjokajt në bashkëpunim me shkollën “Zyber Sharka”. Nxënësit, të ndihmuar nga prindërit, sollën një tjetër dimension duke ekspozuar gatime tradicionale, punime dore dhe piktura artistike, të cilat pasqyronin kulturën dhe kreativitetin e tyre.
Panairi u nderua nga prania e kryetares së Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, nënkryetarit Elton Korreshi, drejtoreshës së Arsimit Zeniola Hoxha dhe përfaqësuesve të tjerë të institucioneve lokale. Në fjalën e saj përshëndetëse, znj. Sefa falënderoi fermerët dhe organizatorët për kontributin e tyre, duke vënë theksin te rëndësia e ruajtjes së traditave dhe promovimit të produkteve lokale në këtë zonë kodrinore.
“Ky panair është një shembull i përkushtimit të banorëve të Darsisë për të mbajtur gjallë kulturën, traditat dhe trashëgiminë bujqësore të kësaj zone. Është gjithashtu një hap drejt zhvillimit të mëtejshëm të agroturizmit,” theksoi znj. Sefa.
Ngjarja u pasua nga një koncert festiv, ku grupet artistike të zonës interpretuan valle tradicionale dhe këngë të Darsisë, duke i dhënë panairit një atmosferë të ngrohtë dhe festive.
Panairi “Sofra e Darsisë 2024” jo vetëm që u kthye në një festë për banorët, por gjithashtu shërbeu si një platformë e rëndësishme për nxitjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e traditave dhe promovimin e prodhimeve vendore. Aktiviteti konfirmoi edhe një herë rolin e rëndësishëm të Darsisë si një zonë me potencial të jashtëzakonshëm në fushën e bujqësisë dhe kulturës.