Plazhi i Durrësit, destinacioni më i frekuentuar në fundjavë!

Plazhi i Durrësit vijon të mbetet një ndër destinacionet më të frekuentuara, jo vetëm nga turistët e huaj, por edhe nga pushuesit vendas, përfshirë qytetarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe vetë Durrësi.

Kjo fundjavë e fundit e muajit solli temperatura të larta dhe mot të kthjellët, duke i dhënë edhe më shumë jetë vijës bregdetare. Nën rrezet e diellit dhe përballë kaltërsisë së detit, pushues të shumtë iu drejtuan plazhit, duke kaluar orë relaksi pranë ujit.

Shëtitorja buzë detit dhe ambientet e bizneseve ishin të mbushura me vizitorë, të cilët kishin zgjedhur Durrësin për të kaluar fundjavën. Ndërkohë, bizneset kanë nisur edhe vendosjen e çadrave përgjatë bregut, në përgatitje të sezonit turistik.

Fëmijët luanin në rërën e pastër, ndërsa të rriturit shijonin diellin dhe detin, duke e kthyer këtë fundjavë në një moment të vërtetë pushimi.

Sipas operatorëve turistikë, interesi për bregdetin e Durrësit pritet të rritet edhe më shumë në javët në vijim. Ata shprehen se rezervimet kanë nisur herët këtë vit, duke sinjalizuar një sezon të suksesshëm veror.

Ndërkohë, autoritetet lokale bëjnë apel për ruajtjen e pastërtisë dhe respektimin e rregullave në hapësirat publike. Siguria dhe mirëmbajtja e plazhit mbeten prioritet për të garantuar një eksperiencë sa më të këndshme për pushuesit.

Kamera e TV Apollon sjell këto pamje nga plazhi i Durrësit, ku qytetarët kanë zgjedhur bregdetin për të kaluar orët e tyre të lira.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033