Përkujtohet kurorëzimi i Skënderbeut në Manastirin e Ardenicës!

Në Manastirin e Ardenicës u përkujtua sot një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare – kurorëzimi i Gjergj Kastriotit Skënderbeu me Donikën, një moment që simbolizon unitetin dhe trashëgiminë tonë kulturore.

Data 25 Prill u shënua përmes një aktiviteti të organizuar nga Bashkia e Lushnjës, në bashkëpunim me fëmijët e Qendrës Kulturore. Ceremonia u zhvillua pikërisht në ambientet e Manastirit të Ardenicës, vendi ku sipas traditës historike u kurorëzua heroi ynë kombëtar.

Fëmijët, nën kujdesin e instruktorëve të artit, sollën për publikun elementë simbolikë të dasmës së Skënderbeut dhe Donikës, duke rikrijuar atmosferën e asaj kohe. Kurora e ullirit, flamuri me shqiponjën dykrenare dhe tingujt e tupanit krijuan një tablo festive, që ndërthurte historinë me traditën.

Ky aktivitet përkujtoi 575-vjetorin e kësaj ngjarjeje, duke e kthyer në një moment reflektimi dhe krenarie për identitetin kombëtar.

Pjesë e ceremonisë ishte edhe kryetarja e Bashkisë së Lushnjës, Eriselda Sefa, e shoqëruar nga nënkryetarja Maldrita Bardho. Në fjalën e saj, kryebashkiakja theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe përcjelljes së vlerave historike tek brezat e rinj.

Në përfundim, aktiviteti u mbyll me një mesazh për të rinjtë, si trashëgimtarë të historisë dhe kulturës shqiptare, për të mos harruar rrënjët dhe për të çuar përpara traditat e vendit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033