Policia e Fierit ka ndërhyrë në disa raste gjatë 24 orëve të fundit, duke arrestuar dhe proceduar disa shtetas për vepra të ndryshme penale.
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin I. H., 38 vjeç, banues në Roskovec, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisën procedim penal ndaj shtetasit L. G., 54 vjeç, banues në Fier. Ai dyshohet se për motive të dobëta ka tentuar të djegë një mjet në pronësi të një subjekti.
Po ashtu, procedim penal ka nisur edhe për dy 16-vjeçare, të cilat dyshohet se janë konfliktuar fizikisht me grushte me një bashkëmoshatare.
Në një tjetër rast, një banesë në fshatin Portëz është përfshirë nga flakët, ku dyshohet se zjarri është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike. Banesa është në pronësi të shtetases F. A., ndërsa fatmirësisht nga ngjarja janë regjistruar vetëm dëme materiale.
Materialet procedurale për të gjitha rastet i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.