Avokatët e Veliajt akuzojnë SPAK: Paraburgimi u justifikua me lobimin në SHBA

Studio ligjore Kasowitz, që përfaqëson kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, publikoi raportin e tretë mbi procesin ndaj tij. Veliaj ndodhet në paraburgim prej më shumë se një viti.

Në raport ngrihen pretendime se SPAK ka cenuar të drejtën e tij për një gjykim të drejtë, duke mos i dhënë akses në rreth 60 mijë faqe prova për t’u përgatitur për gjyqin.

Sipas dokumentit, edhe pse më 9 mars Gjykata e Shkallës së Parë rrëzoi qëndrimin e Prokurorisë së Posaçme dhe urdhëroi dorëzimin e dosjes së provave, duke shtyrë seancën për dy javë, mbetet shqetësim nëse brenda kësaj kohe mund të shqyrtohet një volum kaq i madh materiali.

Raporti thekson gjithashtu se SPAK ka përmendur aktivitetet lobuese të Veliajt si argument për zgjatjen e ndalimit. Sipas studios ligjore, lobimi nuk është kriter i parashikuar për të justifikuar paraburgimin e një të pandehuri.

“Ka vetëm një arsye pse SPAK e ka përdorur atë për këtë qëllim: për të ndëshkuar dhe për t’u hakmarrë ndaj Kryetarit Veliaj për ushtrimin e të drejtës së tij demokratike për t’iu drejtuar institucioneve me kërkesa, gjë që në fakt ka nxjerrë në pah shkeljet e shumta të procesit të rregullt ligjor nga SPAK në çështjen e tij”, thuhet në raport.

Partneri i Kasowitz, Daniel Fetterman, e cilëson shqetësues përdorimin e aktiviteteve të ligjshme të lobimit si argument për paraburgim dhe i bën thirrje institucioneve amerikane të shqyrtojnë situatën. Sipas tij, janë dërguar letra edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit dhe në Departamentin e Drejtësisë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033