Ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku ka paraqitur një kërkesë penale në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku kërkon shuarjen e masës së pezullimit nga detyra.
Sipas burimeve zyrtare, gazetarja Anila Hoxha raporton se sot, në orën 15:00, gjyqtari i hetimit paraprak Erjon Çela do të shqyrtojë kërkesën e avokatëve të Ballukut. Ata argumentojnë se masa e pezullimit nga detyra nuk ka më objekt, pasi ajo nuk mban më funksion publik.
Kërkesa e mbrojtjes vjen disa ditë pasi gjyqtarja e Apelit të Posaçëm la në fuqi pezullimin e Ballukut, menjëherë pas zbardhjes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese.
Megjithatë, avokatët pretendojnë se kjo masë është tashmë e pavlefshme, pasi Balluku nuk ushtron më detyrën e zv.kryeministres apo të ministres.
Ndërkohë, për kërkesën tjetër të saj drejtuar Gjykatës së Lartë, për shfuqizimin e masës së ndalimit për të dalë jashtë vendit, është caktuar si relator gjyqtari i lartë Ilir Panda.