Ish-kryeministri Sali Berisha ka kritikuar ashpër ndryshimet e fundit politike të kryeministrit Edi Rama, duke i quajtur ato të diktuara nga dështime personale dhe përpjekje për të shpëtuar imazhin e Partisë Socialiste.
Në një konferencë për mediat, Berisha vuri në shënjestër vendimet për të dërguar Blendi Klosin si drejtues politik në Dibër dhe për të vendosur Pirro Vengun pranë Bledi Çuçit në Vlorë.
Berisha e cilësoi transferimin e Klosit në Dibër si një formë “internimi”, duke e përshkruar atë si një “kumarxhi të sëmurë” që ka humbur mbështetjen dhe respektin në qarqet ku ka shërbyer më parë. “Blendi Klosi është demaskuar si një nga bixhozxhinjtë më të mëdhenj të Shqipërisë. Ata në Dibër do t’i japin ujë me bisht të lugës,” tha Berisha, duke nënvizuar mungesën e mbështetjes që Klosi pritet të ketë në këtë zonë.
Duke iu referuar Pirro Vengut, Berisha theksoi se ai është “bashkautor në krime të rënda me drogën” dhe një individ i lidhur me bandat kriminale. Ai sugjeroi se lëvizja e tij pranë Çuçit në Vlorë synon të përmirësojë imazhin e dëmtuar të ministrit të Brendshëm, por sipas Berishës, kjo nuk do të sjellë rezultat. “Imazhi i Pirro Vengut është po aq i nxirë sa ai i Çuçit,” shtoi ai.
Ish-kryeministri e interpretoi këtë riorganizim politik si një përpjekje të Ramës për të maskuar dështimet dhe skandalet brenda PS-së. Ai paralajmëroi se do të zbulojë së shpejti detaje të tjera për stafin elektoral të Ramës, duke pretenduar se prapaskenat do të jenë shqetësuese për publikun.
Gjatë konferencës, Berisha njoftoi edhe një protestë të madhe të opozitës më 23 dhjetor, duke e cilësuar si një moment kyç në luftën kundër qeverisë aktuale. Ai bëri thirrje për mosbindje civile si forma kryesore e qëndresës ndaj “narkodiktaturës” së Ramës.
“Diktatura rrëzohet ose me lëvizje të armatosur, siç ndodhi në Siri, ose me mosbindje civile. Ne kemi zgjedhur këtë të fundit për të çliruar shqiptarët nga narkodiktatori që synon mandatin e katërt të grabitur,” tha Berisha.
Protesta e 23 dhjetorit, sipas tij, do të jetë një nga aktet më të fuqishme të opozitës kundër qeverisë aktuale dhe një sinjal për Ramën se shqiptarët nuk do të pranojnë më një qeverisje të bazuar në abuzime dhe manipulime.