Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që parashikon kompensim financiar për bizneset, me qëllim mbulimin e një pjese të kostos shtesë të krijuar nga rritja e pagës minimale nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë.
Sipas vendimit, kompensimi llogaritet dhe jepet mbi bazën e numrit maksimal të të punësuarve me pagë bruto nga 40 000 lekë deri në 49 999 lekë, të deklaruar në listëpagesën pranë organeve tatimore për muajin shtator 2025, sipas përditësimit më të fundit të kryer gjatë vitit 2025.
Kompensimi financiar do të jepet çdo muaj për periudhën kontributive janar–shtator 2026, duke nisur nga hyrja në fuqi e pagës minimale të re në janar. Pagesa do të realizohet nga Drejtoria Rajonale e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, sipas adresës ku subjekti zhvillon pjesën kryesore të veprimtarisë tregtare. Efekti financiar për këtë periudhë do të përballohet nga buxheti i shtetit.
Masa ishte paralajmëruar më herët nga Kryeministri Edi Rama gjatë dëgjesave me qytetarët para miratimit të projektbuxhetit 2026, si një instrument për të mos rënduar sektorin privat pas rritjes së pagës minimale.
Paga minimale prej 500 eurosh ka hyrë në fuqi në janar dhe, sipas të dhënave, përfitojnë rreth 307,8 mijë punonjës. Qeveria ka parashikuar që deri në fund të mandatit paga minimale në shkallë vendi të arrijë në 700 euro.
Vendimi përcakton edhe kriteret që duhet të plotësojnë subjektet për të përfituar kompensimin. Ato nuk duhet të jenë pa asnjë punonjës të regjistruar në listëpagesë, nuk duhet të jenë subjekte në pronësi shtetërore apo ente publike dhe nuk duhet të jenë të regjistruara në statusin e sigurimeve si i vetëpunësuar i vetëm, i vetëpunësuar me punëmarrës dhe punonjës të papaguar të familjes, apo i vetëpunësuar pa punëmarrës dhe punonjës të papaguar të familjes. Gjithashtu, subjektet nuk duhet të kenë detyrime principale ndaj organeve tatimore për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në momentin e aplikimit.
Aplikimi do të kryhet në mënyrë elektronike përmes portalit “e-Albania”, për periudhën nga 1 prill 2026 deri më 31 tetor 2026, për muajt për të cilët kërkohet kompensimi.