Një 36-vjeçar është arrestuar në Cërrik, ndërsa nipi i tij 15-vjeçar është proceduar penalisht, pasi dyshohet se kanë vjedhur me thyerje një shumë parash në një dyqan në lagjen nr. 2 të qytetit.
Sipas njoftimit të Policisë, në pranga është vënë shtetasi A. M., 36 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”. Nga hetimet dyshohet se ai dhe nipi i tij i mitur, në orët e para të mëngjesit të datës 2 mars 2026, kanë vjedhur me thyerje në dyqanin e shtetasit F. H., 57 vjeç.
Në lidhje me rastin, materialet janë referuar në Prokurori për 15-vjeçarin, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, është proceduar penalisht edhe shtetasi O. Z., 19 vjeç, vëllai i të miturit, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se ka pasur dijeni për ngjarjen dhe nuk e ka kallëzuar atë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.