Në foto është Prekë Molla, i cili që prej ditës së djeshme mbahej i ndaluar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.
Së bashku me pesë persona të tjerë të shpallur tashmë në kërkim, 60-vjeçari akuzohet se ka goditur një 22-vjeçar nga Tropoja, drejtues i një prej mjeteve të kompanisë “Gener 2”, e cila po ndërton një resort turistik në zonën e Baks–Rrjollit në Velipojë. Gjithashtu, të gjithë bashkë akuzohen se kanë kanosur për shkak të detyrës një 30-vjeçare nga Kopliku, punonjëse policie.
Megjithatë, për shumëkënd mesazhi që po përçohet shihet ndryshe. Protesta e sotme e banorëve të Baks–Rrjollit u duk më pak e organizuar, pikërisht për shkak të mungesës së Prekë Mollës. Në mbrojtje të pronës, ai është përballur edhe me figura të rëndësishme politike të vendit, duke pësuar madje edhe dëmtime fizike gjatë një përplasjeje në vitin 2024.
Emri i tij tashmë është i njohur për publikun, ashtu si edhe deklarata e tij e bërë më herët: “Nëse dokumentet e pronës që unë pretendoj janë false, jam i gatshëm të përgjigjem penalisht para çdo organi të drejtësisë.”
Si ai ka edhe të tjerë, por Prekë Molla po shihet gjithnjë e më shumë si një simbol i rezistencës për mbrojtjen e pronës. Nga Tirana në Mallakastër, nga Vlora deri në diasporë, sensibilizimi për çështjen e pronës së trashëguar po rritet. Ndërkohë, politika dhe përfaqësuesit e saj, të zgjedhur apo të emëruar, edhe pse kërkojnë votën dhe mbështetjen e banorëve të zonës, akuzohen se po shmangin qëndrimin publik për këtë çështje.
Prekë Molla pritet të paraqitet para Gjykatës së Shkodrës, nëse Prokuroria zyrtarizon masën e sigurisë “arrest me burg”. Sytë janë tashmë te vendimi i gjykatës dhe, më pas, te reagimi i banorëve: a do të zbehet protesta në mungesë të tij, apo do të marrë një shtysë të re?