Vrau me thikë 48-vjeçarin në Kavajë për vendin e parkimit, pas disa orësh kërkimesh vihet në pranga Roland Puja

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, Forcat e Posaçme “Shqiponjat” dhe Forcat Operacionale të DVP Durrës, pas disa orësh kërkimesh, kanë bërë të mundur vënien në pranga të autorit të vrasjes së 48-vjeçarit Skerdilajd Isufi, Roland Pujës.

Policia ka njoftuar se është sekuestruar edhe thika me të cilën autori ka kryer krimin.

Kujtojmë se ngjarja u regjistrua ditën e djeshme në Kavajë dhe konflikti mes dy shtetasve ka ndodhur për shkak të parkimit të makinave. Autori, Roland Puja, ka dalë nga banesa e tij dhe i ka kërkuar Skerdilajd Isufit që të largonte makinën.

Ndërsa ky i fundit ka refuzuar të lëvizte automjetin dhe ka nisur debatin, duke e fyer, më pas konflikti ka degraduar me përdorimin e armëve të ftohta. Mësohet se Roland Puja ka nxjerrë thikën dhe e ka qëlluar dy herë në zemër.

Njoftimi i policisë:

Goditi disa herë me mjet prerës, gjatë një konflikti për motive të dobëta, një 48-vjeçar, i cili si pasojë humbi jetën. Policia, pas disa orësh kërkimesh, lokalizoi, kapi dhe arrestoi autorin e dyshuar.

Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale mjeti prerës (thikë) që autori dyshohet se përdori për të goditur 48-vjeçarin.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, Forcat e Posaçme “Shqiponjat” dhe Forcat Operacionale të DVP Durrës, pas disa orësh kërkimesh e kontrollesh për kapjen e autorit të vrasjes me mjet prerës të 48-vjeçarit, bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit:
L. D., alias L. P., 48 vjeç, banues në lagjen nr. 3, Kavajë.

Ky shtetas dyshohet se më datë 21.02.2026, rreth orës 14:22, në lagjen nr. 3, Kavajë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur disa herë me mjet prerës (thikë) shtetasin S. V., alias S. I., 48 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra humbi jetën.

Autori i dyshuar, pas goditjes me mjet prerës, u largua nga banesa, por u kap pas disa orësh kërkimesh dhe kontrollesh nga shërbimet e Policisë.

Gjithashtu, gjatë veprimeve të para hetimore dhe kërkimeve për gjetjen e provave materiale, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin prerës (thikë), me të cilin dyshohet se autori goditi, me pasojë humbjen e jetës së 48-vjeçarit S. V., alias S. I.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033