Jeta Bushi, gazetare shqiptare që jeton dhe punon në Itali, ka hedhur dritë mbi vështirësitë me të cilat përballen emigrantët shqiptarë kur mendojnë të rikthehen në atdhe.
Në një intervistë, Bushi theksoi se diferencat e mëdha ekonomike mes Italisë dhe Shqipërisë mbeten një nga pengesat kryesore për këtë vendim. “Në Itali pagat variojnë nga 1800 deri në 2000 euro, ndërsa në Shqipëri mesatarisht janë 400 mijë lekë,” tha ajo. “Si mund të krijojnë të rinjtë një familje në Shqipëri me këto kushte?” – shtoi Bushi.
Por sipas saj, problemet nuk kufizohen vetëm te ekonomia. “Edhe aspekti social dhe mentaliteti, veçanërisht ai i burrave, mbetet një pengesë serioze,” vuri në dukje gazetarja, duke nënvizuar se ndryshimet kulturore mes jetës në emigracion dhe asaj në Shqipëri janë shpesh të thella.
Bushi solli si shembull përvojën e të afërmve të saj, të cilët pas një vizite në Shqipëri ndiheshin të lumtur dhe të mirëpritur. Por, siç thekson ajo, kjo ishte vetëm një “pamje e jashtme”, ndërsa realiteti i përditshëm në vend është shumë më i ashpër dhe sfidues për emigrantët që mendojnë rikthimin.
Një shembull pozitiv që Bushi përmendi ishte përpjekja e komunitetit shqiptar në Pescara për të ruajtur gjuhën dhe kulturën e tyre. “Këtu në Pescara kemi një shkollë shqipe, dhe Ministria e Arsimit shqiptare u njeh mësuesve vitet e punës,” shpjegoi ajo. Iniciativa për këto shkolla vjen nga vetë shqiptarët që jetojnë në Itali në qytete të tjera, të cilët kanë krijuar dhe përshtatur ambiente të ndryshme për t’i kthyer në klasa të gjuhës shqipe.
Sipas saj, ky angazhim tregon se shqiptarët në emigracion kanë një dëshirë të fortë për të ruajtur lidhjet me vendin e tyre të origjinës. “Në Itali, janë vetë prindërit shqiptarë që duan t’u mësojnë fëmijëve gjuhën dhe kulturën shqiptare,” shtoi Bushi, duke theksuar se ky model mund të jetë një shembull frymëzues për komunitetin shqiptar në vende të tjera.