Pa fitues gara për drejtorin e Gardës, procedura mbyllet pa rezultat

Procedura për përzgjedhjen e drejtorit të ri të Gardës së Republikës së Shqipërisë ka përfunduar pa një kandidat fitues. Kandidatët që morën pjesë në garë janë njoftuar përmes një emaili zyrtar nga komisioni i vlerësimit se procesi nuk është finalizuar me shpalljen e një fituesi.

Sipas informacionit, një prej kandidatëve që ishte vlerësuar me më shumë pikë nga komisioni nuk përmbushte një nga kriteret ligjore për t’u shpallur fitues, konkretisht përfundimin e ciklit të dytë të arsimit të lartë. Për këtë arsye, procedura nuk ka mundur të përmbyllet me sukses.

Si pasojë, pritet që gara për drejtuesin e ri të Gardës së Republikës të rihapet në një fazë të re konkurrimi.

Në njoftimin drejtuar kandidatëve thuhet se procedura është zhvilluar në zbatim të udhëzimit përkatës të Ministrit të Brendshëm dhe në përputhje të plotë me kuadrin ligjor dhe nënligjor në fuqi. Komisioni thekson se gjatë procesit janë respektuar parimet e ligjshmërisë, transparencës, paanshmërisë, meritokracisë dhe mundësive të barabarta, duke falënderuar kandidatët për pjesëmarrjen dhe interesin e treguar.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033