Pezullohen pesë efektivë policie, mes tyre edhe miku i shënjestrës së atentatit në Lezhë

Pesë punonjës të Policisë së Shtetit janë pezulluar nga detyra pas vendimeve të marra nga Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, mes tyre edhe një efektiv i lidhur me ngjarjen e atentatit të ndodhur në Lezhë.

Sipas njoftimit zyrtar, janë pezulluar menjëherë inspektorët Sh. Ç. dhe I. L., me detyrë trupë shërbimi trafiku urban/interurban në Seksionin e Trafikut Urban/Interurban, në Sektorin e Policisë Rrugore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier. Pezullimi është vendosur për shkelje disiplinore të parashikuar nga neni 121, pika 1, germa “m”, e Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, që lidhet me kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë imazhin e punonjësit të policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi.

Vendimi është marrë pasi dy efektivët, gjatë kohës që ishin në shërbim, kanë kryer veprime në kundërshtim me procedurat standarde të punës gjatë kontrollit të një drejtuesi mjeti, ndërsa ndaj tyre ekzistojnë edhe dyshime për veprime korruptive. Për këta punonjës ka nisur hetimi disiplinor për shkelje të rëndë.

Në të njëjtën kohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka pezulluar nga detyra edhe tre punonjës të tjerë policie. Konkretisht, është pezulluar inspektor B. K., i cili më datë 02.02.2026 është ndaluar me urdhër të Prokurorit, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Rrilë të Lezhës më 01.02.2026, ku u regjistrua atentati.

Gjithashtu, është pezulluar inspektor E. P., Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Mat, pasi dyshohet për përdorim të lëndëve narkotike. Nga detyra është pezulluar edhe inspektor E. B., Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Krujë, i cili më 02.02.2026 është arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Për të gjitha këto raste, Policia e Shtetit ka bashkëpunuar me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, e cila ka kryer dhe po vijon veprimet hetimore dhe procedurale në bashkëpunim me prokuroritë përkatëse.

Policia e Shtetit ka deklaruar se mbetet e vendosur të ndëshkojë çdo punonjës që cenon imazhin e institucionit apo shpërdoron detyrën, duke theksuar se nuk do të ketë tolerancë ndaj shkeljeve ligjore apo etike.

Në këtë kuadër, autoritetet policore u bëjnë thirrje qytetarëve dhe mediave që të denoncojnë çdo rast të veprimeve të paligjshme apo sjelljeve joetike nga ana e punonjësve të policisë, të cilat dëmtojnë besimin e publikut ndaj institucionit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033