Rama kundër kërkesës për rritje pagash të gjyqtarëve: “përpjekje e papranueshme për imponim”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj kërkesës së gjyqtarëve për rritje pagash, duke e cilësuar qëndrimin e Shoqatës së Gjyqtarëve si të papranueshëm dhe të paprecedentë në historinë e Europës. Në një komunikim për mediat, kreu i qeverisë u shpreh se është “absolutisht i surprizuar” nga ajo që e konsideroi një përpjekje për t’i imponuar Kuvendit dhe qeverisë vendime përmes pushtetit gjyqësor.

“S’mund të thuash topi është i imi, topin do ta gjuaj vetë dhe porta duhet të jetë bosh. Regjistrohuni si parti dhe shpalosni platformën tuaj nëse doni. Ju zotërinj kërkoni 37 milionë euro nga buxheti i shtetit. Kjo është e vërteta dhe se luan topi. Se për çfarë jemi ne në Gjykatën Kushtetuese me ju, ta dinë shqiptarët. Ju kërkoni që për gjyqtarin e Apelit, rroga nga 3480 euro, të shkojë në mbi 5000 euro”, deklaroi Rama.

Kryeministri shtoi se kjo është hera e dytë që, sipas tij, shoqata e gjyqtarëve përpiqet të reagojë politikisht, duke përdorur një gjuhë që ai e cilësoi të papranueshme për përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor. Sipas Ramës, gjyqtarët duhet të shprehen përmes vendimeve në sallën e gjyqit dhe jo përmes deklaratave publike.

Ai theksoi se SPAK nuk i është bashkuar kësaj kërkese, duke e veçuar atë nga pjesa tjetër e sistemit. “Për SPAK e veçoj, se nuk i është bashkuar kësaj kërkese absurde, për ta çuar pagën 9800 euro”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, gjyqtarët aktualisht paguhen në nivele të krahasueshme me vendet e rajonit, përfshirë Greqinë, dhe kërkesa për rritje pagash me 2–3 mijë euro në muaj nuk ka bazë ligjore apo kushtetuese. Ai theksoi se çështja është tashmë në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033