Partia Demokratike do të rikthehet në Komisionin e Reformës Territoriale, pasi mazhoranca socialiste ka tërhequr nga rendi i ditës draftin me ndryshimet e propozuara për këtë komision. Vendimi u bë publik gjatë seancës plenare të sotme në Kuvend.
Kërkesa për heqjen e projektvendimit nga rendi i ditës u paraqit nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Ai deklaroi se ndryshimi synon krijimin e kushteve për rifillimin e punës në komision, me dakordësinë e palëve. “Kërkoj ndryshim në rend dite për mosshqyrtimin e projektvendimit për ndryshimet dhe për ngritjen e Komisionit Territorial në këtë seancë. Besoj se ka dakordësi nga të gjitha palët dhe me shpresën që puna do të rifillojë në Komision”, u shpreh Balla.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka kërkuar më shumë se thjesht heqjen e çështjes nga rendi i ditës. Deputeti demokrat Luçiano Boçi deklaroi se mazhoranca duhet të tërhiqet plotësisht nga vendimi për ndryshimin e përbërjes së komisionit. “Kërkesa jonë ka qenë e qartë: jo vetëm të mos shqyrtohet, por të tërhiqet ky vendim. Tërheqja tregon vullnet. Nëse lihet ‘as mish as peshk’, atëherë është lojë”, u shpreh Boçi gjatë seancës.
Debati lidhet me funksionimin e komisionit të posaçëm parlamentar “Për reformën administrativo-territoriale në Republikën e Shqipërisë”, ku anëtarët e opozitës munguan edhe në mbledhjen e zhvilluar një ditë më parë. Ajo mbledhje përbënte afatin e fundit të përcaktuar nga mazhoranca për vijimin e punës së komisionit.
Sot në Kuvend pritej të diskutohej kërkesa e Grupit Parlamentar Socialist për ndryshimin e përbërjes së komisionit, që parashikonte heqjen e paritetit në drejtim. Sipas këtij propozimi, komisioni do të kishte shumicë anëtarësh nga Partia Socialiste, ndërsa opozita do të përfaqësohej në minorancë. Kryetari i komisionit do të ishte nga radhët e socialistëve, ndërsa zëvendëskryetari nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.
Tërheqja e draftit nga rendi i ditës hap rrugën për rikthimin e opozitës në komision, ndërsa mbetet e paqartë nëse mazhoranca do të heqë dorë përfundimisht nga ndryshimet e propozuara në përbërjen dhe drejtimin e tij.