Mijëra dokumente për Jeffrey Epstein hiqen nga faqja e Drejtësisë amerikane pas ekspozimit të viktimave

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka hequr nga faqja zyrtare mijëra dokumente të lidhura me hetimin ndaj Jeffrey Epstein, pasi viktimat kanë denoncuar se identitetet e tyre janë zbuluar për shkak të redaktimeve të gabuara në materialet e publikuara.

Avokatët që përfaqësojnë viktimat kanë deklaruar se publikimi i dosjeve ka “përmbysur jetën” e afro 100 të mbijetuarve, duke theksuar se në dokumente janë përfshirë adresa elektronike, fotografi nudo dhe materiale të tjera që mundësonin identifikimin e viktimave, përfshirë emra dhe fytyra.

Në një deklaratë të përbashkët, të mbijetuarit e kanë cilësuar publikimin si “skandaloz” dhe kanë theksuar se nuk duhet të “emërtohen, shqyrtohen dhe retraumatizohen” përmes një procesi që, sipas tyre, ka dështuar t’i mbrojë.

Departamenti i Drejtësisë ka bërë të ditur se të gjitha dokumentet e sinjalizuara janë hequr përkohësisht për redaktim të mëtejshëm, duke sqaruar se gabimet kanë ardhur si pasojë e “gabimeve teknike ose njerëzore”.

Në një letër drejtuar një gjykatësi federal, institucioni ka deklaruar se të gjitha dokumentet që janë kërkuar të hiqen nga viktimat ose përfaqësuesit e tyre janë larguar nga qarkullimi për rishikim. Po ashtu, është bërë e ditur se po shqyrtohen kërkesa të reja dhe se një numër i konsiderueshëm dokumentesh të identifikuara në mënyrë të pavarur janë hequr për të njëjtën arsye.

Publikimi i dosjeve ishte i detyrueshëm pas miratimit nga të dyja dhomat e Kongresit të një mase që e detyronte Departamentin e Drejtësisë të nxirrte në publik materialet që lidhen me çështjen Epstein. Sipas kushteve të këtij vendimi, autoritetet federale ishin të detyruara të redaktonin çdo informacion që mund të çonte në identifikimin e viktimave.

Megjithatë, dy avokatë të viktimave i janë drejtuar gjykatës federale në Nju Jork, duke kërkuar mbylljen e faqes që strehonte dokumentet dhe duke e cilësuar publikimin si “shkeljen më të rëndë të privatësisë së viktimave brenda një dite në historinë e Shteteve të Bashkuara”.

Sipas tyre, situata përbën një emergjencë në zhvillim që kërkon ndërhyrje të menjëhershme gjyqësore, pasi mijëra raste përmbanin emra dhe të dhëna personale të pa-redaktuara. Disa nga viktimat kanë deklaruar se pas publikimit kanë marrë kërcënime me vdekje, ndërsa të tjera kanë raportuar se janë ekspozuar të dhëna të ndjeshme financiare.

Nga ana e tij, Departamenti i Drejtësisë ka deklaruar se merr shumë seriozisht mbrojtjen e viktimave dhe se në miliona faqe të publikuara janë redaktuar mijëra emra për të mbrojtur personat e pafajshëm. Sipas institucionit, rreth 0.1 për qind e faqeve të publikuara kanë rezultuar me informacione të pa-redaktuara që mund të çojnë në identifikimin e viktimave.

Që prej miratimit të ligjit për publikimin e materialeve, Departamenti i Drejtësisë ka nxjerrë në publik miliona dokumente të lidhura me Jeffrey Epstein, përfshirë miliona faqe, qindra mijëra imazhe dhe mijëra video. Publikimi i fundit ka ardhur pas një vonese prej disa javësh nga afati ligjor i përcaktuar.

Jeffrey Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në një burg në Nju Jork më 10 gusht 2019, ndërsa priste gjyqin për akuza të rënda për trafikim seksual.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033