SHBA rrëzon dron iranian pranë aeroplanmbajtëses “Abraham Lincoln”, incident në mes të tensioneve me Teheranin

Forcat ushtarake amerikane kanë rrëzuar një dron iranian që po i afrohej në mënyrë agresive një aeroplanmbajtëseje amerikane në Detin Arabik, ka bërë të ditur një zëdhënës i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara.

Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, droni u neutralizua të martën nga një avion luftarak F-35C që ishte ngritur nga aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln. Zëdhënësi i kësaj komande, kapiten Tim Hawkins, deklaroi se veprimi u krye “në vetëmbrojtje”, për të garantuar sigurinë e anijes dhe personelit ushtarak.

Në momentin e incidentit, aeroplanmbajtësja ndodhej rreth 500 milje larg bregut iranian, ndërsa qëllimi i dronit u cilësua si i paqartë. Autoritetet amerikane konfirmuan se nuk pati dëme materiale dhe as persona të lënduar.

Ngjarja ndodh në një kohë kur Uashingtoni po rrit praninë ushtarake në rajon, mes tensioneve të larta me Teheranin. Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se SHBA mund të ndërmarrë veprime ushtarake ndaj Iranit nëse ky i fundit nuk pranon të negociojë një marrëveshje për kufizimin e programit bërthamor.

Pas rrëzimit të dronit, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit mbeten të planifikuara për më vonë gjatë kësaj jave. Ajo theksoi se presidenti Trump vazhdon të favorizojë diplomacinë, por shtoi se në tryezë mbeten të gjitha opsionet, përfshirë përdorimin e forcës ushtarake.

Nga ana tjetër, udhëheqësi suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, ka paralajmëruar më herët se çdo sulm ndaj Iranit do të shkaktonte një luftë rajonale. Autoritetet iraniane nuk kanë reaguar ende zyrtarisht lidhur me incidentin e së martës.

Në një zhvillim tjetër po atë ditë, ushtria amerikane njoftoi se forcat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit kanë shqetësuar një anije tregtare me flamur dhe ekuipazh amerikan në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë. Situata u stabilizua pas ndërhyrjes së mbështetjes ushtarake dhe anija vijoi lundrimin pa incidente.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, përfaqësuesi special amerikan për çështjet ndërkombëtare, Steve Witkoff, pritet të marrë pjesë në bisedimet e ardhshme me Iranin. Ndërkohë, presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka deklaruar se Teherani është i gatshëm për negociata, me kusht që të krijohet një ambient i përshtatshëm.

Tensionet janë ushqyer edhe nga paralajmërimet e fundit të Uashingtonit, që ka rikujtuar sulmet ajrore të vitit të kaluar ndaj objekteve bërthamore iraniane, të cilat, sipas Trump, kanë shkatërruar kapacitetet e pasurimit të uraniumit. Presidenti amerikan ka deklaruar se çdo sulm i ri do të ishte edhe më i ashpër.

Irani vijon të këmbëngulë se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore dhe mohon se synon zhvillimin e armëve bërthamore, ndërsa përplasjet diplomatike dhe ushtarake mes palëve mbeten të hapura dhe në rritje.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033