Dhjetëra mijëra persona vizitojnë çdo ditë Shatërvanin e Trevit në Romë për të bërë fotografi ose për të hedhur një monedhë në ujë. Duke nisur nga data 2 shkurt, hyrja në zonën direkte pranë bordurës së shatërvanit do të kushtojë dy euro. Ndërkohë, sheshi i madh përpara monumentit do të mbetet i hapur dhe pa pagesë për vizitorët.
Sipas autoriteteve të qytetit të Romës, sistemi i ri synon të menaxhojë më mirë fluksin e vizitorëve në një nga atraksionet turistike më të njohura të kryeqytetit italian dhe të parandalojë tejmbushjen e zonës. Administrata e qytetit deklaroi se kjo tarifë synon “t’i kundërvihet tejmbushjes së zonës, të përmirësojë përvojën e vizitorëve dhe të mbrojë një nga monumentet më të dashura të qytetit”.
Nga kjo masë, e cila zbatohet për herë të parë, përjashtohen banorët e Romës, personat me aftësi të kufizuara dhe shoqëruesit e tyre, si edhe fëmijët nën moshën gjashtë vjeç.
Administrata e qytetit kishte ndërmarrë masa edhe më herët për kufizimin e fluksit të vizitorëve. Rreth një vit më parë u vendos që pranë shatërvanit të lejohen njëkohësisht jo më shumë se 400 persona.
Sipas të dhënave, gjatë vitit të kaluar Shatërvani i Trevit u vizitua nga më shumë se dhjetë milionë persona, ndërsa në ditët e pikut numri i vizitorëve arrinte deri në 70 mijë.
Tradita e hedhjes së një monedhe në shatërvan, duke shprehur një dëshirë, daton nga viti 1954 dhe u frymëzua nga filmi “Three Coins in the Fountain”.