Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, i është drejtuar sot maturantëve me një mesazh informues dhe orientues, duke bërë të ditur se ka nisur procesi i plotësimit të formularit A1, përmes të cilit nxënësit përcaktojnë lëndët me zgjedhje për provimet e Maturës Shtetërore 2026.
Në deklaratën e saj, ministrja theksoi se zgjedhja e lëndëve është një vendim me rëndësi të veçantë, pasi ndikon drejtpërdrejt në orientimin akademik dhe studimet universitare. Ajo u bëri thirrje maturantëve që të reflektojnë me kujdes dhe të këshillohen me mësuesit dhe prindërit përpara se të plotësojnë formularin.
Ministrja informoi gjithashtu se për maturantët e viteve të mëparshme, procesi do të zhvillohet përmes formularit A1Z, i cili do të jetë i hapur në datat 10 dhe 11 shkurt. Sipas saj, strukturat arsimore në nivel qendror dhe vendor janë të angazhuara për të ofruar asistencë gjatë gjithë procesit të aplikimit.
Drejtoritë Rajonale Arsimore, zyrat arsimore dhe shkollat do të jenë në dispozicion të nxënësve për t’i ndihmuar në plotësimin korrekt të formularëve dhe në sqarimin e çdo paqartësie.