Një masë paraprake sigurie ka çuar në tërheqjen nga tregu të qumështit pluhur “Aptamil”, pas dyshimeve se një seri prodhimi mund të jetë e kontaminuar me mikroorganizma ose baktere.
Vendimi është marrë nga kompania Danone, e cila thekson se masa nuk vjen si pasojë e një rasti të konfirmuar, por si veprim parandalues deri në përfundimin e analizave laboratorike. Qumështi “Aptamil” është i pranishëm edhe në tregun shqiptar.
Një nga shpërndarësit, kompania Rossmann Lala, ka reaguar duke tërhequr menjëherë produktin nga të gjitha dyqanet e saj dhe duke garantuar rimbursimin e plotë për konsumatorët që e kanë blerë.
Ndërkohë, duke qenë se produkti tregtohet edhe nga subjekte të tjera, autoritetet dhe kompanitë u bëjnë thirrje prindërve dhe konsumatorëve që të kontrollojnë me kujdes kodet e serive të prodhimit dhe të shmangin përdorimin e këtij qumështi deri në publikimin e rezultateve përfundimtare.
Siguria ushqimore, veçanërisht për produktet për foshnje, mbetet prioritet, ndërsa konsumatorët këshillohen të ndjekin vetëm informacionet zyrtare dhe udhëzimet e publikuara.