Kurti: Kosova e gatshme të kontribuojë për paqen përmes Bordit të Paqes

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova dëshiron të kontribuojë për paqen globale kudo që ka nevojë, duke komentuar pjesëmarrjen e vendit në Bordin e Paqes, një nismë e presidentit amerikan Donald Trump, e lidhur me planin për rindërtimin e Gazës pas luftës.

Duke folur para mediave, Kurti tha se përfshirja e Kosovës në këtë mekanizëm është vazhdimësi e kontributit të saj për Gazën, përfshirë edhe angazhimin përmes Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të diskutimeve për një forcë ndërkombëtare stabilizuese.

Ai kujtoi se përfaqësues të FSK-së kanë marrë pjesë në një konferencë të zhvilluar në dhjetor 2025 në Doha të Katarit, ku u diskutua për angazhimin ndërkombëtar në Gaza, duke shtuar se Kosova ka qenë e interesuar të marrë pjesë edhe në nivelet vendimmarrëse politike.

Sipas Kurtit, pjesëmarrja në iniciativa të tilla buron edhe nga fakti se Kosova vetë ka përfituar nga paqja, falë ndërhyrjes së forcave ndërkombëtare në të kaluarën. Ai theksoi gjithashtu se Qeveria e Kosovës ka ndarë gjysmë milioni euro ndihmë për Gazën dhe se ky proces do të vijojë edhe në të ardhmen.

Bordi i Paqes u themelua më 22 janar në Davos të Zvicrës, në prani të presidentit amerikan, ndërsa Kosova u përfaqësua nga presidentja Vjosa Osmani. Ky mekanizëm synon të mbikëqyrë udhëheqjen e Rripit të Gazës pas armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033