Bashkimi Europian ka shpallur zyrtarisht Gardën Revolucionare të Iranit organizatë terroriste. Vendimi u konfirmua pas mbledhjes së ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, deklaroi:
“Represioni nuk mund të mbetet pa përgjigje.”
Në reagimin e saj publik, Kallas tha se Bashkimi Europian ka marrë një hap vendimtar kundër një regjimi që, sipas saj:
“Vret qytetarët e vet.”
Ajo shtoi se dhuna ndaj protestave dhe shkeljet e të drejtave të njeriut kanë qenë faktor kyç në marrjen e këtij vendimi.
Vendimi i Bashkimit Europian përfshin gjithashtu sanksione ndaj 15 zyrtarëve dhe gjashtë organizatave iraniane, të lidhura me shtypjen e dhunshme të protestave në Iran.
Reagimi nga Teherani ishte i menjëhershëm. Ministri i Jashtëm i Iranit, Seyed Abbas Araghchi, e quajti vendimin e BE-së:
“Një gabim të madh strategjik.”
Ai akuzoi Bashkimin Europian se po nxit tensionet në rajon dhe deklaroi:
“Ndërsa disa vende po përpiqen të shmangin një luftë të hapur në Lindjen e Mesme, Europa po i hedh benzinë zjarrit.”
Araghchi akuzoi gjithashtu BE-në për standarde të dyfishta, duke përmendur mungesën e veprimeve ndaj Izraelit për luftën në Gaza.
Sipas tij, ky qëndrim i Bashkimit Europian është i dëmshëm edhe për vetë Europën, veçanërisht për shkak të pasojave që një përshkallëzim i konfliktit do të kishte në çmimet e energjisë dhe stabilitetin rajonal.