Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se ka ndërhyrë drejtpërdrejt pranë presidentit rus Vladimir Putin për të ndalur përkohësisht sulmet ndaj qyteteve ukrainase, për shkak të kushteve ekstreme të motit.
Gjatë një mbledhjeje të kabinetit, Trump tha se i kishte kërkuar Putinit që për një periudhë njëjavore të mos bombardoheshin Kievi dhe qytete të tjera, duke përmendur temperaturat jashtëzakonisht të ulëta që priten në Ukrainë.
“Unë personalisht i kërkova Presidentit Putin të mos bombardonte Kievin dhe qytete të ndryshme për një javë, dhe ai pranoi ta bënte këtë”, deklaroi Trump.
Ai shtoi se ishte paralajmëruar se një kërkesë e tillë nuk do të kishte efekt.
“Ai ishte shumë i sjellshëm. Shumë njerëz më thanë: ‘Mos e humb telefonatën, nuk do të marrësh asgjë’. E megjithatë ai e bëri”, tha presidenti amerikan.
Trump u shpreh gjithashtu se konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës po i afrohet fundit.
“Ne i kemi dhënë fund tetë luftërave dhe besoj se një tjetër do të vijë”, deklaroi ai, duke shtuar se Steve Witkoff dhe Jared Kushner janë të angazhuar në përpjekje diplomatike për këtë çështje.
Sipas Qendrës Hidrometeorologjike të Ukrainës, nga 1 deri më 3 shkurt parashikohet një valë e fortë të ftohti, me temperatura nate që pritet të zbresin nga -20 deri në -27 gradë Celsius, ndërsa në disa zona deri në -30 gradë Celsius.
Autoritetet lokale në Kiev kanë njoftuar se 613 blloqe banimi shumëkatëshe kanë mbetur pa ngrohje pas sulmeve të fundit ruse.