Transportuesit në Mal të Zi tërhiqen nga kufijtë, përfundon bllokada e qarkullimit të mallrave

Bllokada e qarkullimit të mallrave në pikat kufitare të Malit të Zi ka marrë fund, pasi Shoqata e Transportuesve ka vendosur të tërheqë kamionët nga kufijtë pas një takimi me përfaqësuesit e Qeverisë malazeze. Vendimi vjen pas disa ditësh protestash që kishin ndikuar drejtpërdrejt edhe në bizneset e rajonit.

Shoqata bëri të ditur se gjatë takimit janë gjetur zgjidhje për një numër të konsiderueshëm çështjesh problematike, çka ka çuar në nisjen e normalizimit të qarkullimit të mallrave drejt Bashkimit Evropian. Sipas transportuesve, është garantuar rimbursimi i TVSH-së brenda afateve ligjore dhe është konfirmuar që periudha e transitit për mallrat e importuara nga Mali i Zi do të jetë 72 orë. Po ashtu, është dhënë garanci që propozimi për përvojë pune preferenciale do t’i paraqitet Qeverisë për votim.

Megjithatë, shoqata thekson se çështja e akcizës së karburantit mbetet ende e pazgjidhur. Transportuesit kanë marrë garanci se temat kryesore me partnerët evropianë, përfshirë sistemin ETIAS dhe akcizën mbi naftën, do të trajtohen në vijim, ndërsa është premtuar edhe zgjatja e orarit të punës së inspektorëve fitosanitarë.

Bllokada ishte vendosur pranë nëntë pikave kufitare për mallra, përfshirë Debeli Brijeg, Ilino Brdo, Vraçenoviq, Rançë, Metelkë, Dobrakovë, Draçenovc, Kullë dhe Bozhaj, si dhe në hyrje-daljet e Portit të Tivarit. Gjatë protestës, qarkullimi ishte lejuar vetëm për pasagjerët dhe kamionët që transportonin ilaçe, kafshë, eksplozivë dhe armë.

Protestat nisën më 26 janar dhe përfshinë transportues nga Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja, të cilët kundërshtonin rregulloren që kufizon qëndrimin e shtetasve të vendeve të treta në zonën Schengen në 90 ditë brenda 180 ditëve. Sipas tyre, ky kufizim e bën të pamundur ushtrimin normal të aktivitetit profesional.

Edhe pse bllokada në Mal të Zi është mbyllur, protestat vijojnë në vende të tjera të rajonit, duke shkaktuar pasoja për ekonomitë fqinje. Kosova, e cila nuk është pjesë e protestës, është ndër vendet më të prekura, pasi realizon pjesën më të madhe të import-eksportit përmes këtyre korridoreve tranziti.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033