Pas tre ditësh protestë, zhbllokohen kufijtë me Maqedoninë e Veriut, rifillon qarkullimi në Qafë Thanë

Protesta e transportuesve në Maqedoninë e Veriut është ndërprerë pas tre ditësh, duke sjellë zhbllokimin e plotë të pikës kufitare të Qafë Thanës dhe të të gjitha pikave të tjera kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Sipas njoftimeve zyrtare, nga ora 20:00 e mbrëmjes së sotme ka nisur qarkullimi normal i kamionëve, pas pezullimit të protestës së nisur më 26 janar nga shoferët e mjeteve të tonazhit të rëndë.

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut kanë bërë të ditur përmes kanaleve zyrtare se bllokada është hequr në të gjitha pikat kufitare, duke i dhënë fund një situate që kishte ndikuar drejtpërdrejt në qarkullimin e mallrave mes dy vendeve.

Protesta u organizua nga Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë së Veriut dhe përfshiu rreth 370 kamionistë në dhjetë pika kufitare. Ajo ishte një reagim kundër sistemit të ri elektronik të hyrje-daljeve në zonën Schengen, i cili, sipas transportuesve, po krijonte vështirësi serioze për shoferët profesionistë.

Zgjidhja erdhi pas ndërhyrjes së Komisionit Evropian, i cili ka pranuar të lëshojë viza për transportuesit. Ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, bëri të ditur se Brukseli ka pranuar kërkesat dhe do të paraqesë një strategji të re për lehtësimin e punës së shoferëve profesionistë.

Megjithëse transportuesit kanë shprehur pakënaqësi ndaj regjimit aktual të vizave, të cilin e konsiderojnë të vjetëruar, ata kanë pranuar këtë zgjidhje si një hap të përkohshëm në mungesë të alternativave të tjera.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033