Shoqata e Kamionistëve të Republikës së Malit të Zi ka paralajmëruar një protestë që do të nisë të hënën, më 26 janar 2026, në orën 11:30, duke sjellë ndalimin e përkohshëm të qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë në pikat kufitare me Shqipërinë.
Sipas autoriteteve malazeze, protesta do të zgjasë rreth 48 orë dhe, për arsye sigurie, nuk do të lejohet lëvizja e kamionëve në akset rrugore që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Malin e Zi. Masa synon shmangien e bllokimeve dhe incidenteve gjatë zhvillimit të protestës.
Gjatë kësaj periudhe, qarkullimi do të lejohet vetëm për automjetet e vogla, mjetet e emergjencës, autobusët dhe mjetet e transportit të pasagjerëve.
Policia Kufitare u ka kërkuar drejtuesve të kamionëve të planifikojnë udhëtimet e tyre dhe të respektojnë kufizimin e vendosur, deri në përfundimin e protestës së paralajmëruar.