Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar Evropën se po shmang veprimet konkrete përballë luftës në Ukrainë, duke deklaruar se kontinenti “e do diskutimin për të ardhmen, por shmang veprimin sot”.
Deklaratat Zelensky i bëri në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, pas një takimi të zhvilluar me presidentin amerikan Donald Trump. Në një fjalim të ashpër dhe kritik, presidenti ukrainas u bëri thirrje vendeve evropiane që të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre dhe për mbështetjen ndaj Ukrainës.
Sipas Zelenskyt, dokumentet që synojnë t’i japin fund luftës janë “pothuajse gati”, ndërsa brenda kësaj jave priten bisedime të tjera mes zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë. Ai theksoi se momenti kërkon vendime reale dhe jo vetëm deklarata politike.
Më herët, Donald Trump u shpreh se një marrëveshje për përfundimin e luftës në Ukrainë “do të vijë shumë shpejt”, teksa mori pjesë në Davos në inaugurimin e nismës së tij të quajtur “Bordi i Paqes”.
Në të njëjtën kohë, Trump komentoi edhe çështjen e Groenlandës, duke thënë se ekziston një “kornizë marrëveshjeje”, deklaratë që u kundërshtua nga kryeministri i Groenlandës, i cili theksoi se vendi i tij mbetet i përkushtuar ndaj kornizës aktuale politike dhe institucionale.
Fjalimi i Zelenskyt në Davos është interpretuar si një sinjal i qartë pakënaqësie ndaj hezitimit evropian, në një moment kur Ukraina kërkon garanci më të forta politike, ushtarake dhe strategjike përballë agresionit rus.