Ish-sekretari i Përgjithshëm i NATO-s dhe ish-kryeministri i Danimarkës, Anders Fogh Rasmussen, ka deklaruar se Europa duhet të ndryshojë qasje ndaj Presidentit amerikan Donald Trump dhe t’i kundërvihet hapur politikave të tij.
Rasmussen u shpreh se periudha e lajkave dhe e tolerimit ka përfunduar dhe se Bashkimi Evropian duhet të japë një përgjigje më të fortë dhe më të bashkuar, veçanërisht nëse administrata amerikane zbaton tarifat shtesë doganore ndaj vendeve evropiane. Sipas tij, në një situatë të tillë, BE-ja duhet të reagojë me masa hakmarrëse tregtare.
Ai theksoi se Trump respekton vetëm forcën politike dhe ekonomike dhe se mungesa e reagimit do ta inkurajonte më tej përshkallëzimin e tensioneve. Rasmussen paralajmëroi gjithashtu se kërcënimet për përdorimin e forcës ndaj Groenlandës përbëjnë një rrezik serioz për stabilitetin transatlantik.
Sipas tij, nëse këto kërcënime do të materializoheshin, vetë NATO-ja do të vihej në pikëpyetje, pasi një veprim i tillë do të minonte parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar aleanca.
Deklaratat e Rasmussen vijnë në një klimë të tensionuar mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane, pas kundërshtimeve të forta të shprehura nga kryeqytetet evropiane ndaj planeve për tarifa të larta doganore dhe deklaratave për aneksimin e Groenlandës.