Operacioni “Twins” çon në arrestimin e dy vëllezërve për një vrasje të ndodhur në Dibër në vitin 2018

Policia ka arrestuar dy vëllezër, të dyshuar për përfshirje në vrasjen e një personi të ndodhur në qarkun Dibër në vitin 2018, pas një operacioni të koordinuar mes strukturave ligjzbatuese.

Operacioni “Twins” u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Prokurorinë Dibër dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër. Si rezultat, u arrestuan shtetasit K. K., 39 vjeç, dhe K. K., 39 vjeç, të dy banues në Gjirokastër.

Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, Policia gjeti dhe sekuestroi 2 kallashnikovë, 1 pushkë, një thikë, 3 krehëra, municion luftarak, një maskë dhe 3 telefona celularë. Armët e zjarrit do t’i nënshtrohen ekspertizës në Institutin e Policisë Shkencore për të verifikuar lidhjen e tyre me vrasjen e vitit 2018 apo me veprimtari të tjera kriminale.

Prokuroria e Dibrës po vijon hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj vrasjeje, ndërsa po punohet edhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të dyshuar. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër për veprime të mëtejshme.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033