Berisha: Salianji është vetëpërjashtuar, ka vetëm interesa private të dokumentuara

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi paraditen e së shtunës një bashkëbisedim me gazetarët, ku komentoi zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike.

I pyetur lidhur me foltoren e ish-deputetit Ervin Salianji, Berisha e cilësoi atë si një të vetëpërjashtuar nga PD, duke theksuar se veprimtaria e tij lidhet vetëm me interesa private, të faktuara sipas tij me dokumente.

“Ju garantoj që ai ka vetëm interesa private, strikt private, të faktuara me dokumente. Pikërisht për këtë arsye i është thënë anëtarësisë se ai zotëria ka përjashtuar veten nga Partia Demokratike. Ne kemi një nen, neni 24 i statutit, dhe kur kapesh në shkelje flagrante të tij, atëherë çdo veprimtari që zhvillon, duke shëtitur poshtë e përpjetë, është veprimtari private e jotja dhe nuk ka asnjë lidhje me PD-në,” u shpreh Berisha.

Ai shtoi se kjo është përgjigjja e tij jo vetëm për gazetarët, por për çdo demokrat.

“Mos harroni një gjë: opozitarizmi është i vështirë, nuk është i thjeshtë. Të mos mendojë askush se ndarja me këta njerëz e dëmton Partinë Demokratike. Ju garantoj se e forcon. A e patë tjetrin? Disa vrapojnë drejt posteve drejtuese, disa vrapojnë andej-këtej. Ne nuk kemi nevojë për këta njerëz. Ata janë mish i huaj në opozitë,” deklaroi Berisha.

Sipas tij, këta individë nuk përfaqësojnë opozitarizmin e vërtetë.

“Ata nuk janë opozitarë, janë pseudo-opozitarë. Ne duhet të qëndrojmë një parti e hapur, pa asnjë mëdyshje, por kurrë ndaj atyre që, për interesa personale, përpiqen të shfrytëzojnë partinë për të avancuar interesa të paligjshme apo për të kryer veprimtari në shkelje të rënda të ligjit,” përfundoi Berisha.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033