Partia Demokratike do të organizojë një protestë kombëtare përpara datës 20 shkurt, megjithëse data e saktë ende nuk është përcaktuar. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë një konference për shtyp.
Berisha deklaroi se opozita nuk do të marrë pjesë në asnjë proces zgjedhor pa krijimin e një qeverie teknike, e cila, sipas tij, duhet të përgatisë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Së pari, pa qeveri teknike për të përgatitur zgjedhjet, në zgjedhje nuk shkohet. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje. Kjo është një e vërtetë e faktuar, jo vetëm nga ne, por edhe nga komuniteti ndërkombëtar dhe vëzhguesit e zgjedhjeve”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi se kërkesa kryesore e PD-së dhe opozitës është largimi i kryeministrit Edi Rama dhe krijimi i një qeverie teknike që të garantojë një proces zgjedhor të drejtë.
Sipas Berishës, në vijim opozita do të paraqesë qëndrimet e saj edhe për përbërjen e mundshme të qeverisë teknike, duke theksuar se përparësi ka respektimi i ligjit, Kushtetutës dhe mosbllokimi i drejtësisë.
Në konferencë, Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin Rama për bllokimin e mbledhjes së Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, lidhur me kërkesën e SPAK për lejimin e arrestimit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.