Shteti hyn në epokën e kriptos, parashikohen llogari për fondet e sekuestruara

Qeveria po përgatit ndryshime të rëndësishme në ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, duke hapur rrugën për menaxhimin zyrtar të kriptomonedhave nga institucionet shtetërore.

Në projektligjin e hedhur për konsultim publik, parashikohet që Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara të ketë të drejtën të hapë llogari të posaçme për ruajtjen dhe administrimin e aseteve digjitale, përfshirë Bitcoin, Ethereum dhe kriptomonedha të tjera.

Sipas dokumentit, ndryshimet synojnë të zgjidhin boshllëkun ligjor që ka ekzistuar deri tani, pasi organet e drejtësisë kanë hasur vështirësi në administrimin e fondeve të sekuestruara në formë kriptomonedhash. Vetëm në një nga hetimet e fundit është sekuestruar një vlerë prej rreth 10 milionë eurosh në kripto-asete.

Projektligji zgjeron gjithashtu fushën e administrimit të Agjencisë, duke përfshirë edhe pasuritë pa dokumentacion hipotekor, të cilat kategorizohen si ndërtime pa leje, si dhe pronat e bllokuara nga pushteti vendor.

Parashikohet krijimi i një fondi të posaçëm që do të përdoret për administrimin dhe zhvillimin e këtyre pasurive, duke synuar një përdorim më efikas të tyre në interes publik.

Ndryshimet ligjore synojnë të përshtasin kuadrin aktual me realitetin e ri financiar dhe teknologjik, duke i dhënë shtetit instrumente të qarta për menaxhimin e pasurive të sekuestruara, përfshirë edhe ato në formë digjitale.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033