Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ashpërsuar tonet politike gjatë protestës së mbajtur përpara Kryeministrisë, duke paralajmëruar kryeministrin Edi Rama se, sipas tij, opozita nuk do të presë ndërhyrje të huaja për ndryshimin e pushtetit.
Në fjalën e tij para mbështetësve, Berisha deklaroi se viti 2026 do të shënojë triumfin e Partisë Demokratike dhe e lidhi situatën në Shqipëri me zhvillimet e fundit në Venezuelë.
Ai u shpreh se nuk është e nevojshme, sipas tij, që forcat amerikane të ndërhyjnë. “Ne nuk presim që Delta Amerikane të zbarkojë në Surrel,” tha Berisha, duke shtuar se opozita ka mbështetësit e saj.
“Do zbarkojnë ‘deltat’ tona. Ja ku i ke ‘deltat’, këta ‘delta’ që ke para këtu. Priti në Surrel sapo të marrin urdhrin,” deklaroi ai gjatë fjalimit.
Berisha e paralajmëroi gjithashtu kryeministrin Rama se do të përballet me drejtësinë. “Njësoj si Maduro, edhe ti në sallën e gjyqit do përfundosh,” u shpreh kreu i opozitës.
Deklaratat e Berishës u bënë në një klimë të tensionuar politike, ndërsa protesta përpara Kryeministrisë shënoi një nga tubimet e para të opozitës për vitin 2026.