A është e drejtë që të burgosurit shqiptarë që kanë kryer krime në Angli të riatdhesohen dhe ta vuajnë dënimin në Shqipëri? Shqipëria “shet b*then” për 4 milionë paund.

Një shqiptar i dënuar me 32 vite burg për vrasje në Mbretërinë e Bashkuar, i njohur edhe për aktivitetin e tij në TikTok nga brenda qelisë, pritet të transferohet në Shqipëri, si pjesë e një marrëveshjeje financiare që parashikon riatdhesimin e të dënuarve shqiptarë kundrejt 4 milionë paundëve në vit.

Bëhet fjalë për Eugert Merizaj, i cili u dënua në maj të vitit 2022 për përfshirje në vrasjen me armë zjarri të rivalit të tij në trafikun e drogës, Hemawand Ali Hussein. Ai po vuan dënimin në HMP Manchester, një burg i sigurisë së lartë, nga ku prej vitesh ka publikuar video live në rrjete sociale, në shkelje të hapur të rregullave të burgut.

Në verën e kaluar, Merizaj konfirmoi publikisht se kishte aplikuar për t’u transferuar në Shqipëri, në kuadër të marrëveshjes së arritur mes dy shteteve në vitin 2023. Sipas kësaj skeme, Britania i paguan Shqipërisë 4 milionë paund në vit për të pranuar rreth 200 të burgosur shqiptarë, të dënuar për vepra të rënda si vrasje, përdhunime, grabitje dhe trafik droge.

Megjithatë, zbatimi i marrëveshjes ka qenë i ngadaltë. Deri më tani, vetëm 11 të dënuar shqiptarë janë transferuar realisht, ndërsa dhjetëra të tjerë mbeten ende në burgjet britanike. Më 11 nëntor, një gjykatë në Fier pranoi kërkesën e Merizajt dhe njohu zyrtarisht dënimin e dhënë nga gjykata britanike, duke hapur rrugën për transferimin e tij.

Ndërkohë, 15 vrasës të tjerë shqiptarë, të kualifikuar për të njëjtën skemë, vazhdojnë të qëndrojnë në burgjet britanike. Disa prej tyre konsiderohen rrezik serioz sigurie, madje kanë kryer edhe shkelje të tjera gjatë vuajtjes së dënimit.

Mbajtja e një të burgosuri në Britani i kushton shtetit mbi 53 mijë paund në vit, ndërsa të dënuarit për krime të dhunshme konsiderohen problematikë edhe për vetë sistemin penitenciar. Pikërisht ky kosto-financiar është një nga arsyet kryesore pse Londra po shtyn fort transferimet.

Pavarësisht vendimit për riatdhesim, Merizaj vazhdon të qëndrojë në HMP Manchester. Ai ka transmetuar vazhdimisht video në TikTok, ku ankohet për kushtet e burgut, ushqimin, izolimin dhe mungesën e kontaktit fizik me familjen. Në disa prej videove, ai shprehet hapur se preferon të vuajë dënimin në Shqipëri, edhe nëse kushtet mund të jenë më të vështira.

“Nuk e kam parë familjen time për shtatë vjet. Kjo është arsyeja kryesore pse dua të kthehem”, shprehet ai në një nga videot.

Në kontrast me ankesat, përmbajtja e publikuar prej tij në rrjete sociale sugjeron një jetesë relativisht komode në burg, me pajisje elektronike, libra, lojëra dhe veshje luksi, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi kontrollin brenda sistemit penitenciar britanik.

Merizaj ishte pjesë e një grupi që në vitin 2019 joshi viktimën në një banesë në Hartlepool, ku u krye vrasja. Edhe pse nuk e tërhoqi vetë këmbëzën, gjykata vlerësoi se ai kishte rol kyç në planifikim dhe sigurimin e armëve.

Pas transferimit, Merizaj pritet të dërgohet në Burgu i Peqinit, një nga institucionet më të sigurisë së lartë në Shqipëri.

Rasti i tij ka rihapur debatin publik:

A është e drejtë që persona të dënuar për krime të rënda në Angli të kthehen në Shqipëri për të vuajtur dënimin, kundrejt një marrëveshjeje financiare?

Dhe mbi të gjitha: a po kthehet Shqipëria në një zgjidhje të leverdishme për problemet e burgjeve britanike, me një çmim prej 4 milionë paundësh në vit?

Një pyetje që mbetet ende pa përgjigje, por me pasoja të rënda politike, morale dhe shoqërore.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033