SPAK ka hyrë në një fazë të re organizative, pasi kryeprokurori i posaçëm Klodian Braho ka firmosur strukturën e re drejtuese të institucionit, duke ridarë përgjegjësitë mes prokurorëve kryesorë.
Sipas burimeve pranë SPAK, Altin Dumani është emëruar në krye të seksionit për marrëdhëniet me jashtë, një sektor kyç për bashkëpunimin ndërkombëtar. Ndërkohë, Dorina Bejko do të drejtojë seksionin për hetimin e korrupsionit, ndërsa Vladimir Mara merr drejtimin e seksionit kundër krimit të organizuar.
Ky riorganizim sjell ndryshime të rëndësishme në drejtimin e seksioneve. Dorina Bejko, e cila deri më tani drejtonte marrëdhëniet me jashtë, kalon në krye të hetimeve për korrupsionin. Seksioni kundër krimit të organizuar, që deri sot drejtohej nga Adnand Xholi, i kalon Vladimir Marës, i njohur për përvojën në hetime të përbashkëta me antimafian italiane.
Arben Kraja, ish-kryeprokuror i SPAK, i cili kishte drejtuar më parë marrëdhëniet me jashtë pas emërimit nga Altin Dumani, vijon punën si prokuror i thjeshtë në SPAK, pas largimit nga ky post.
Kryeprokurori Klodian Braho konsiderohet një nga figurat me përvojë të gjatë në hetimin e çështjeve të ndjeshme dhe të nivelit të lartë. Ai është përfshirë në disa dosje të rëndësishme që kanë shënuar precedentë, përfshirë edhe çështje që kanë pasur impakt të fortë politik dhe institucional.
Struktura e re pritet të ndikojë në mënyrën e funksionimit të SPAK dhe në organizimin e hetimeve për korrupsionin dhe krimin e organizuar në vijim.