2300 biznese kalojnë në tregun e lirë të energjisë, zgjedhin vetë furnizuesin

Nga fillimi i këtij viti, 2300 biznese të lidhura në tensionin 6 kV do të dalin në tregun e lirë të energjisë elektrike, duke u shkëputur nga Furnizuesi i Shërbimit Universal.

Sipas autoriteteve përgjegjëse, këto subjekte kanë të drejtë të zgjedhin dhe të lidhin kontratë me një nga 40 furnizuesit e licencuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE). Për të lehtësuar këtë proces, ERE ka vënë në dispozicion edhe Platformën e Krahasimit të Çmimeve, e cila u mundëson bizneseve të informohen dhe të krahasojnë ofertat e furnizuesve të ndryshëm.

Në rast se një biznes nuk arrin të lidhë kontratë me një furnizues të tregut të lirë ose humbet furnizuesin ekzistues, parashikohet një mekanizëm tranzitor. Klientët mund të furnizohen për një periudhë të kufizuar deri në 60 ditë nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit, shërbim që aktualisht ofrohet nga OSHEE Group. Ky mekanizëm synon të garantojë vazhdimësinë e furnizimit dhe të shmangë ndërprerjet në aktivitetin ekonomik.

Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë është zbatuar në mënyrë graduale, duke nisur fillimisht me klientët e lidhur në tensionin 35 kV, më pas në 20 kV, 10 kV dhe së fundmi në 6 kV.

Autoritetet theksojnë se konsumatorët kanë të drejtë ligjore të zgjedhin dhe të ndryshojnë furnizuesin në çdo kohë, pa penalitete. Liberalizimi i tregut të energjisë konsiderohet një reformë strukturore me ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e tregut dhe në marrëdhënien mes energjisë dhe aktivitetit ekonomik.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033