Petro i përgjigjet akuzave të Trump: Nuk jam narkotrafikant, mbroj institucionin e presidentit

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të presidentit amerikan Donald Trump, duke mohuar kategorikisht çdo lidhje me trafikun e drogës dhe duke i quajtur deklaratat e tij shpifëse.

Në një postim të gjatë publik, Petro iu drejtua Trump dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke kërkuar ndalimin e sulmeve personale ndaj tij.

“Nuk jam një president i paligjshëm dhe as një narkotrafikant. Emri im nuk figuron në asnjë çështje të trafikut të drogës,” shkroi presidenti kolumbian.

Petro theksoi se gjatë mandatit të tij ka ndërmarrë masa të forta kundër narkotrafikut dhe deklaroi se, si komandant suprem i forcave të armatosura, ka urdhëruar sekuestrimin më të madh të kokainës në historinë botërore.

Në reagimin e tij, ai deklaroi se i beson popullit kolumbian dhe se ka kërkuar nga qytetarët të mbrojnë institucionin e presidentit nga çdo akt që ai e cilëson si të paligjshëm apo të dhunshëm.

Petro shtoi gjithashtu se, ndonëse është betuar të mos mbajë më armë, do të ishte i gatshëm të armatosej për mbrojtjen e atdheut, nëse do të ishte e nevojshme.

Akuzat e Donald Trump përfshijnë pretendimin se Petro ka “fabrika dhe impiante kokaine”, deklarata që presidenti i Kolumbisë i ka hedhur poshtë si të pavërteta dhe fyese.

Përplasja verbale mes dy liderëve zhvillohet në një klimë të tensionuar politike në rajon, e ndikuar edhe nga zhvillimet e fundit në Venezuelë dhe përkeqësimi i marrëdhënieve mes disa vendeve të Amerikës Latine dhe Shteteve të Bashkuara.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033